Ministria e Drejtësisë: Ekstradimi i Morinës, i parregullt

Publikuar: 2017-07-29 15:44:37

Ministria e Drejtësisë nëpërmjet një njoftimi ka ofruar mbështetjen për Ismail Morinën, si shtetas shqiptar pas vendimit të Gjykatës së Dubrovnikut për ekstradimin e “Ballist” Morinës në Serbi.

 Ministri Gazment Bardhi I ka bërë një kërkesë ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kroacisë ku e cilëson si të parregullt kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Morinës, pasi ajo nuk përmbush kriteret e pranimit sipas Konventës Europiane për Ekstradim dhe “Paktin Ndërkombëtar” për të drejtat civile dhe politike. Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Në këtë shkresë, Ministria e Drejtësisë ka marrë angazhimin që në një kohë sa më të shpejtë të përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë se jemi përpara një shkelje politike, për të cilën bazuar në nenin 3 të Konventës së Këshillit të Europës “Për ekstradimin”, nuk mund të akordohet ekstradimi. Ministri i Drejtësisë në kërkesën drejtuar autoriteteve kroate ka argumentuar se në rast ekstradimi në Serbi, shtetasi shqiptar Ismail Morina rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politisht për shkak të shtetësisë së tij dhe gjendjes personale apo shoqërore, çka përbën shkelje të një të drejtat themelore të njeriut, që duhet të pengojë miratimin e kërkesës për ekstradim.

Për këtë qëllim, ditën e sotme, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për t’i vënë në dispozicion të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë përdorimin politik nga autoritetet serbe të ngjarjes së ndodhur në stadiumin e Beogradit në tetor të vitit 2014, si dhe sjelljes çnjerëzore të tifozëve dhe personelit serb të stadiumit ndaj ekipit kombëtar shqiptar, me qëllim provueshmërinë e rrezikut real që i kanoset shtetasit Ismail Morina për shkak të shtetësisë së tij shqiptare në rast ekstradimi në Serbi.Gjithashtu dhe FSHF nëpërmjet një lajmërimi në faqen e saj në internet ka bërë të ditur se Presidenti i Federatës, Armand Duka ka patur një komunikim intensive me kryeministrin e vendit Edi Rama për këtë problem. Kreu i Ekzekutivit së bashku me Presidentin e FSHF kanë marrë kontakt të vazhdueshëm edhe me autoritetet kroate për zgjidhjen përfundimtare të procesit.

Thënia e ditës

Në fund ne vetëm do të vajtojmë rastet e shfrytëzuara.
Autori i panjohur