Galla
Prof Artan Fuga Publikuar: 2015-09-07 18:03:13

Kombëtarja e shqiptarëve, jo dhe aq e Shqipërisë

 Sigurisht edhe unë gëzohem që 11 shqiptarë, nga gjaku ynë, ecin përpara drejt kualifikimit për në finalet e Europianit të Francës. Se mos është ndonjë meritë e madhe të jesh patriot! Si të gjithë, edhe unë, sepse tregon se shqiptarët, si të gjithë, mund të ndeshen, të garojnë e të ndrisin midis popujve të tjerë. Sikurse bëjnë mijëra refugjatë në vendet ku kanë emigruar. Por, kur dëgjoj të thonë se është kombëtarja e Shqipërisë, këtu nis e mendohem dhe as vakem, as ftohem.


Përse? Sepse ata lojtarë nuk përfaqësojnë aq gjendjen e klubeve shqiptare të futbollit, që kur shoh ndonjë ndeshje midis tyre, më duket sikur kthehem dekada përpara në ndeshjet e rrugicave te Pallati i Pionierëve, ku trajneri ishte Ali Pazari. Ajo kombëtare nuk përfaqëson klubet shqiptare të futbollit. Në pjesën dërrmuese ata lojtarë të mëdhenj janë bërë të tillë sepse kanë ikur nga Shqipëria, jo sepse kanë ndenjur në Shqipëri.

Ndonjë naiv do të më thotë se edhe kombëtaret e tjera kështu formohen, me lojtarë që luajnë jashtë vendit. Po more po, por diferenca midis atyre kombëtareve dhe klubeve vendase nuk është fare e madhe, sikurse ndodh me greminën midis klubeve lokale dhe kombëtares sonë. Më vjen për të qarë kur lexoj trajnerin shqiptar De Biazi kur thotë se po shikon një ndeshje jashtë për të ndjekur ndonjë futbollist shqiptar.

Nga kjo pikëpamje, kombëtarja shqiptare e futbollit, që u klasikoftë sa më lart, nuk përfaqëson, megjithatë, kushtet e rinisë shqiptare në Shqipëri për të luajtur futboll, as infrastrukturën e sportit, as buxhetet për sportin, as politikat e sportit, për faqe të zezë, asgjë nga Shqipëria, veç tifozëve njëqind karatësh shqiptarë.
Nga kjo pikëpamje, ajo është thjesht një produkt reklame, një etiketë marketingu për Shqipërinë, formë pa përmbajtje, që mund të promovohet. Pas saj nxitet një nacionalizëm që, si patriotizëm, mund të orientohet drejt punës, kulturës, sportit vendas, por jo si rivalitet me kombet e tjera. Kjo nuk shërben si instrument matës i zhvillimeve të tyre dhe tonave, as në sport e as gjetiu.
Pretendimet e Dukës shkojnë deri te fitorja e kërkuar ndaj Portugalisë.

Ajo përfaqëson shqiptarët, madje shqiptarët e ikur, sesa Shqipërinë. Faktikisht, ajo përfaqëson atë që Shqipëria duhet të ishte, por jo atë që është, përfaqëson atë që Shqipëria nuk është. Pra, është formë pa përmbajtje, sikurse themi ne në marketingun promocional. Unë do të doja që ajo të ishte përfaqësuese e rinisë së Shqipërisë, e klubeve të Shqipërisë, pastaj e përmirësuar me pak shqiptarë nga jashtë, të ishte përfaqësuese e shpirtit futbollistik që zhvillohet në qytetet dhe stadiumet e Shqipërisë. Atëherë, po!

Ajo më shumë është një sipërmarrje multinacionale sesa një markë produkti prej Shqipërie. Kurse kështu, shpesh një fitore e kombëtares akaparohet nga politika si parametër zhvillimi, që në fakt nuk është, dhe krijon iluzione, përdoret edhe nga disa media si mjet propagande, e kjo ul potencialet shërbyese të pushtetit publik ndaj qytetarit dhe e bën qytetarin edhe më të hutuar, duke pyetur veten: Pse jam keq, kur kombëtarja e Shqipërisë renditet kaq mirë në Europë??? E mirë si skuadër, si e tillë përparoftë, iluzore si vegël propagande, mos na hutoftë!

Thënia e ditës

Në fund ne vetëm do të vajtojmë rastet e shfrytëzuara.
Autori i panjohur