Galla
Alfred Lleshi Publikuar: 2015-08-01 13:09:17

Krenarë si barbarë…

Që në minutën e 29-të të ndeshjes Kukësi-Legia e Varshavës, pra shumë kohë para ndërprerjes së ndeshjes në minutën e 52-të, mbi lojtarin e Legias që bëri golin e parë u zbraz një batare, me së paku pesë-gjashtë shishe uji dhe një numër më i madh sendesh të tjerë. Në faqen e FK Kukësi në Facebook, me këtë rast u postua një fotografi e autorit të golit, Nikoliç, duke festuar për golin. Fotografia mbante këtë shënim: “Shikoni shkaun si provokon me tre gishta tifozat e Kukësit. Pasaj reagimi dihet, sepse shqiptari nuk pranon poshtërimin në vendin e vet.”

Por, në fotografi, lojtari i Legias shfaqet me dy gishtat e ngritur lart, jo me tre. Lojtari i Legias ka ngritur lart gishtin e madh dhe gishtin tregues të dorës. Në fakt Nikoliç shihet si tradhtar në Serbi për shkak se ai ka zgjedhur të luajë për Hungarinë, pasi është hungarez nga nëna e tij, e cila i përket pakicës hungareze në Serbi. Nikoliç nuk mund t’i ngrinte tre gishtat edhe për arsye se është i vetëdijshëm se bëhet fjalë për një simbol politik-religjioz, i përdorur në luftrat e ish-Jugosllavisë dhe si i tillë është dënueshëm nga rregullat sportive ndërkombëtare. Ai e dinte se do të ndëshkohej nga UEFA për këtë gjë. Fotografia dhe statusi në faqen e FK Kukësit kërkojnë të shfajësojnë tifozët kuksianë për dhunën ndaj lojtarit të Legias. Me një gënjeshtër.

Le të supozojmë se lojtari i Legias ngriti vërtet tre gishtat. Nëse tre gishtat e ngritur lart janë një provokim, çfarë duhet thënë për atë që pretendon se bëri në Beograd kuksiani më i famshëm i kohës, Ismail (Ballist) Morinaj, duke dërguar në stadiumin e Beogradit, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, një dron me një hartë, ku rreth çereku i territorit të shtetit serb të sotëm, përveç Kosovës, përfshihej brenda kufijve të Shqipërisë? Sipas logjikës së statusit të faqes së FK Kukësit, a nuk është ky një provokim shumë më i rëndë ndaj turmave serbe? Një provokim i mjaftueshëm për të ushtruar dhunë ndaj lojtarëve shqiptarë në fushë? E pra, Morinaj, në intervistën e tij për një kanal të Digitalb, tre javë më parë tha disa herë se kishte bërë një gjest shumë elegant.

Dy ditë para ndeshjes Kukësi-Legia, Hamdi Salihi bëri dy gola për Skënderbeun në ndeshjen për Ligën e Kampioneve, në kryeqytetin e Moldovës, Kishinau. Në të dy rastet Salihi festoi duke shkuar te flamuri i këndit të fushës, që në një stadium vetëm për futboll, si ai i kryeqytetit moldovas, do të thotë se gjendej vetëm pak metra larg tifozëve vendas. Asnjë send nuk u hodh mbi Salihin në të dyja rastet. Ky është standardi moldovas, i një vendi që është pas Shqipërisë në çdo pikëpamje. Ky është standardi i një vendi, i cili që prej vitit 1991 është në një gjendje lufte të ngrirë me një pjesë të mirë të territorit të tij, që i është shkëputur me forcë nga një rebelim separatist i popullsisë ruse në lindje të vendit. Në Shqipëri bëhet ironi tash sa vite me femrat moldovase, apo moldave si quhen, të trafikuara për prostitucion në Europë, edhe nëpërmjet vendit tonë.

Duke njohur precedentët e tifozërisë kuksiane në ndeshjet europiane, si dhe dhunën në ndeshjen e mbrëmjes së enjte ndaj lojtarit të Legias që bëri golin e parë, nuk është për t’ u habitur që u hodh një gur ndaj një lojtari polak. Një goditje me saktësi fatale, që e qëlloi polakun në kokë. Qartësisht, një goditje nga një dorë e stërvitur barbare, që ka një traditë të gjuajtjes me gurë, dhe është e mirëushtruar në këtë sport barbar. Goditja e njeriut me gurë nga njeriu e ka origjinën në barbarinë e hershme të njerëzimit, në kohën e gurit.

Goditja e kundërshtarit me gurë shihej si një fitore e dyfishtë, duke e mposhtur dhe poshtëruar atë. Goditja me gurë kënaqte instinktet e thella të dhunshme të qenies njerëzore në stadin primitiv të saj. Prej këtej, që në shoqëritë veçanërisht të prapambetura, praktikohet edhe sot vrasja e njerëzve me gurë. Goditja me gur në kokë e një lojtari kundërshtar i ve damkën e barbarisë një tifozërie, një klubi, një qyteti, krahinës së cilës i përket ky qytet, shtetit dhe kombit të cilit i përket kjo tifozëri, ky qytet, kjo krahinë.

Por, a është e arsyeshme që veprimi i një individi të damkosë një qytet, një krahinë, një tifozëri, mund të thotë dikush. Po, është e arsyeshme, se një gjë e tillë është vetëm kulmimi i një dhune të shkallëzuar, që miratohet nga bashkësia së cilës i përket tifozi që hodhi gurin. Ai që e goditi me gur lojtarin polak është një barbar aktiv. Ata që heshtin dhe nuk e dënojnë atë janë barbarë pasivë. Jo dhe aq pasivë, në të vërtetë. Pas ndeshjes, në faqen e FK Kukësit në Facebook u vendos edhe ky status: “Krenar për këtë tifozëri, që tashmë e njeh krejt Europa. Armata e Veriut, Europa Lige 2015.”
Kësaj i thonë: Ne jemi krenarë që jemi barbarë! Krenarë si barbarë! Dhe përgjigjia për kritikat në këtë faqe ishte ky status: “Një Mesazh për disa media: Vazhdoni Hani M… se ju bën mirë për maskën që e keni në ftyrë.”

Në të tre statuset kishte një pafundësi me komente ngazëlluese nga tifozët kuksianë, të cilët zhvillonin më tej idetë e këtyre tre statuseve, sipas fantazisë së komentuesve. Presidenti i barbarëve, domethënë i FK Kukësit, tha se gurin e hodhën tifozët polakë. Domethënë, tifozët polakë e qëlluan lojtarin e tyre me gurë, që të dënohej Kukësi. Dhe këtë gjë e bënë pasi Legia bëri golin e dytë?! Këtij i thonë humor barbarësh. Si do të guxonin tifozët polakë të hidhnin gurë në fushë, kur ata e dinin se mund të regjistroheshin nga videokamerat e stadiumit?(Mbikqyrja me videokamera e tifozëve në ndeshje ndërkombëtare është rregull detyrues i UEFA-s dhe FIFA-s.) Madje, mund të regjistroheshin edhe privatisht nga tifozët vendas, të gjendur në tribunën përballë tyre, çka edhe ka ndodhur. Tashmë qëndrimi zyrtar i FK Kukësit është se gurin e ka hedhur një tifoz i paidentifikuar. Ky është një qëndrim qesharak, një gënjeshtër e trashë me logjikë barbare, se në faqen zyrtare të klubit miratohet dhuna dhe shprehet, madje, krenari për atë që ndodhi.

Të gjithë këto fakte të çojnë te e vërteta e dhimbshme, që është detyrim i kuksianëve për ta përgënjeshtruar bindshëm, se bëhet fjalë jo për një pakicë barbare brenda një bashkësie, por për shkallë të ndryshme të barbarisë brenda bashkësisë. Kështu e percepton bota atë që ndodhi në ndeshjen ndaj Legiuas. Unë jam i vetëdijshëm se është një mision i pamundur intelektual që t’ua shpjegosh barbarëve se çfarë dëmi të madh i kanë bërë me këtë sjellje Kukësit, Shqipërisë, kombit shqiptar. Procesi mendor i barbarëve funksionon me instinkte, jo me arsyetim. Kukësi fitoi një reputacion shumë të mirë në botë me rastin e krizës humanitare të shkaktuar nga dëbimi masiv i dhunshëm shqiptarëve të Kosovës nga ana e Serbisë.

Në rastin e vendeve të vogla si Shqipëria, aq më tepër të qyteteve periferike të tyre, si Kukësi, ky reputacion është një gjë e brishtë, si një fasadë e xhamtë kristali. Guri që goditi kokën e lojtarit polak e theu edhe këtë fasadë të kristaltë, duke e bërë copë e thërmia këtë reputacion. Se guri i hedhur mbi lojtarin polak u bë lajm botëror. Këtej e tutje kuksianët do të jenë për botën ata që gjuajnë me gurë nëpër stadiume, domethënë barbarë. Do të thuhet edhe se njeriu që mori përsipër ngritjen e dronit me flamur të zi, në stadiumin e Beogradit, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, është njëri prej tyre, një kuksian.
Si të mos na mjaftonin barbarët e këtej kufirit, me rastin e kësaj ndeshjeje kishte ardhur edhe një turmë e barbarëvë nga Prishtina, prej “Plisave”, me qëllimin e qartë dhe të vetëm për t’ u përleshur me tifozët polakë. Këtë gjë, madje, e kanë pohuar vetë në faqen e tyre zyrtare, duke thënë se ata erdhën në Tiranë vetëm për të sulmuar tifozët polakë dhe as që hynë në stadium për të parë ndeshjen. Domethënë, kanë ardhur në Tiranë jo si tifozë, por si banditë, si barbarë, si agresorë. Shkaku i kësaj sjelljeje? Disa nga tifozët polakë të Legias na paskan thënë se “Kosova është Serbi”. Por Polonia është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në kohën e luftës në Kosovë, Polonia e mbështeti fushatën ajrore të NATO-s kundër Serbisë. Kontigjenti polak i KFOR-it në Kosovë ka një sjellje të paqortueshme ndaj shqiptarëve. Përse duhej pra, që tifozët nga Kosova të merrnin mundimin për të ardhur në Tiranë, për t’ u përleshur me polakët? Dhe përleshja ndodhi vërtet, madje që para ndeshjes në bulevardin qendror të Tiranës.

Çfarë përshtypjeje bën në Poloni kur mësohet se shqiptarët e Kosovës vinë në Tiranë për t’ u përleshur me tifozët polakë? A është në të mirë të Kosovës kjo? Opinioni publik polak, i cili as që e di se disa tifozë të Legias na paskan thënë diku se “Kosova është Serbi’, tashmë e mësoi se shqiptarët e Kosovës erdhën në Tiranë për t’ u përleshur me tifozët polakë. Këta shqiptarë të Kosovës, që erdhën në Tiranë për të dhunuar tifozët polakë, nuk meritojnë të quhen “Plisa”, por “shajkaça”. Shajkaça është kapela tradicionale popullore serbe, e mbajtur dhe nga çetnikët. Edhe këta “Plisat-Shajkaça” të Kosovës janë krenarë si barbarë. Qeveria e Kosovës duhet të reagojë për sjelljen e barbarëve të ardhur në Tiranë nga Kosova dhe Prokuroria e Shtetit në Prishtinë duhet të nisë një hetim për këtë ngjarje, që i sjell dëm të madh Kosova. Në krahasim me Kosovën, Polonia është një vend i madh dhe me rëndësi në NATO dhe Bashkimin Europian. A mos duan në Prishtinë që Polonia ta tërheqë njohjen e Kosovës?

Unë jam i vetëdijshëm se do të më quajnë antikuksian, antiverior e kushedi se çfarë “anti” tjetër. Ndonëse ka ndodhur që të kem shumë miq kuksianë. Disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi intelektualë më të mirë janë kuksianë. Dy botues me të cilët kam bashkëpunuar unë, ka ndodhur që të jenë kuksianë. Unë do të doja të kisha pritshmëri të lartë nga intelektualët kuksianë, sa i përket asaj që ndodhi në ndeshjen me Legian. Intelektualët kuksianë duhet t’ iu bëjnë një apel publik bashkëqytetarëve e bashkëkrahinarëve të tyre, si kuksianë e lumjanë, për t’i qortuar për atë që ndodhi e për t’i vetëdijësuar për dëmin e madh që i kanë bërë Kukësit dhe Shqipërisë. Ajo sjellje e tifozërisë dhe qëndrimi i bashkësisë ndaj saj është e papranueshme edhe në një ndeshje mes dy katundeve, nëse do të luante në një fushë katundi Bushtrica e Safet Gjicit me Shikajn e Ismail Morinajt, e jo më në një ndeshje europiane.

Unë mendoj se FK Kukësi duhet që pa vonesë t’i kërkojë zyrtarisht dhe publikisht falje Legias së Varshavës për atë që ndodhi. Pastaj i mbetet detyrimi klubit polak të kërkojë falje për sjelljen e tifozëve të vet. Kuksianët kanë mundësi dhe të drejtë të jenë krenarë si njerëz të qytetëruar, jo si barbarë. Barbarët aktivë duhen identifikuar, izoluar dhe ndaluar që të jenë të pranishëm në ngjarje të tilla sportive europiane. Më e pakta kjo. Se duhen ndëshkuar, madje rëndë. Nëse nuk ndodh kështu atëherë është pjesa tjetër e bashkësisë që identifikohet me barbarët dhe pastaj mund të flitet veçse për shkallë të ndryshme të barbarisë, brenda bashkësisë.

Thënia e ditës

Në fund ne vetëm do të vajtojmë rastet e shfrytëzuara.
Autori i panjohur