Galla
Virtyt Gacaferri Publikuar: 2015-06-26 22:47:27

Nora i ka fituar dy medalje, Kampionatit Evropian dhe Lojërave Evropiane

 E pashë Driton Kukën përderisa mbuloi sytë me të dy duart dhe u duk se po fshinte lotët. Me të pasur një gullumuq në fyt edhe vet mund të kisha ndjenjën e përafërt se cilat kemikalie liroheshin në trurin e trajnerit. Ishte kjo disa sekonda pas përfundimit të luftës së parë të Nora Gjakovës, në Lojërat e Para Evropiane dhe Kampionatin Evropian në Xhudo që po mbahet në Azerbejxhan gjatë qershorit 2015. Në momentet emocionale medalja ishte edhe disa fitore larg. Mirëpo gëzimi ishte i madh pasi kundërshtarja ishte goxha një emër, dhe fitorja arriti papritmas.

Për ndryshim prej sporteve të tjera pjesëmarrëse në këto Lojëra, kjo garë për sportin e xhudos ishte edhe kampionati Evropian, pasi mbajtja e tij në Skotlandë ishte anuluar për shkak të sponsorit të gabuar.

Skotlanda kishte marrë përsipër organizmin e Kampionatit Evropian në xhudo, por si sponsor kishte gjetur federatën e Sporteve të Përziera Luftarake (MMA). Federata Evropiane e Xhudos kishe konsideruar se MMA promovon dhunën dhe rrahjen, ndërsa xhudo edukimin dhe për këtë ju ka anuluar skotlandezëve evropianin dhe e ka bartur atë në Baku.

Ishte kjo një arsye pse Nora Gjakova qysh në raundin e parë u takua me një sportiste kulminante, Laetitia Bolt, dy herë kampione e Francës, dy medalje të arta në Grand Slam dhe Grand Prix. Laetitia vjen nga një shtet që ka më shumë xhudiste se sa banorë qyteti i Norës. Në Francë janë gjysme milioni xhudistë të regjistruar, Peja nuk ka as gjysmën e këtij numri si banorë.

Një konkurrencë shumë e fortë dhe një fitore spektakolare ishte arsyeja pse Dritoni mbuloi sytë dhe mua mu bë gullumuqi në fyt. Vetëm pesë sekonda larg nga humbja Nora kthen rezultatin negativ në një fitore spektakolare 110:0. Ka qenë më dramatike se goli i Iniestës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve më 2009, kur Barcelona me 10 lojtarë anuloi kualifikimin e sigurt të Chelseat. Këtu Nora ishte Barcelona me 10 lojtarë.

Po të ishte vonuar Nora pesë sekonda komentatorë të Facebookut do thonin se Kosova po zë vetëm vendin e fundit dhe kështu kaloi edhe xhudo. Dhe se ky sport e ka vetëm një sportist. Ata tash kanë gjetur dikë tjetër të shajnë.

Lufta e parë e Norës 1/32 të finales tregon se sa e fortë ka qenë konkurrenca në xhudo më 25 qershor në Baku. Gati secila pjesëmarrëse ka qenë kandidate, për të artën. Për të parë se sa ngushtë ishte e tërë puna në këtë garë Nora, në luftën e saj të tretë u takua me medaljen e argjentë të Lojëra Olimpike Londra 2012, dhe fitoi. Gara zgjati gjashtë minuta në vend të katër minutave pasi në kohën e rregullt nuk pati fitues. Gara shkoi “zhag"deri në momentin kur superioriteti fizik i Norës jepi rezultat dhe thjeshtë rumunen Caprioriu e lëshoi fuqia dhe morri një vërejtje që i siguroi Norës vazhdimin e garës.

Gati një vit më herët u takova me një sponsor potencial të Xhudos dhe të Norës. Gjithçka ishte OK, sponsori pranoi të përkrahë xhudon, edhe Norën, por pa pasur ndonjë besim te ajo. Nora para dy viteve kishte lënduar gjurin duke e këputur ligamentin. Me ligament të këputur futet në garë dhe arrinë një ndër rezultatet e saja më të mira. Kjo e bënë lëndimin edhe më të rëndë.

Pas asaj Nora bënë një CT të gjurit dhe detyrohet të shkoj në Austri ku mjeku i saj Florim Ramadani e thërret dhe i bënë operacionin duke e sponsorizuar punën e vet. Ky mjek më vonë do të bëjë operacion edhe Majlinden, kur Spitali Amerikan në Kosovë bëhet edhe sponsor i xhudistëve të Kosovës.

Një vit Nora qëndroi jashtë garave. Pati një kthim të bukur me titullin e Kampionit Evropian për të rinj.

Mirëpo pastaj ajo luftoi shumë mirë në shumë gara. Fatkeqësisht mungoi elementi i fundit që e bëri më 25 qershor. Ajo bënte gara të mira dhe humbjet e saja ishin për detaje. Gjatë kësaj kohe emri i saj hiqet nga mediat. Nuk kishte rezultat “çka kush ka fitu" kështu që raportimi i detajuar se si vete forma nuk mbushi asnjë rresht.

Me këtë edhe emri i saj u largua nga mediat, Nora nuk njihej si favorit edhe pse forma e saj ishte e mirë.

Për formën e Norës më foli trajneri i Driton Kuka - “Nora mundet me na befasu me medalje e ka formën shumë të mirë”, më kishte thënë ai.

Nora Gjakova është tip në vehte, tregojnë kolegët e saj “ajo vendosë vet kur mund ta japë 100 për qindëshin e vet”, tregon njëri nga xhudistët e klubit Ippon Pejë. “E tillë është ajo, nuk i dihet”, shtoi ai.

Ndoshta mbase edhe ja ka qëlluar, pasi po i njëjti koleg i Norës dy minuta para luftës me rumunen më tha “ka ardhë koha me e mujtë rumunen”. Ashtu edhe ishte.

Por unë mendoj se Nora nuk e ka dhënë 100 për qindëshin e vet, ajo me ma shumë fat ka mundur ta tejkaloj edhe hungarezen Hedvig, e ndoshta edhe Telma Monteron kampionen e tashme botërore dhe evropiane.

Nora mund të arrijë fitore të tjera, Nora ka 22 vjet, medalje në Baku kanë marrë 35 vjeçaret. Xhudoja e Kosovës vetëm sa ka filluar dhe nëse nuk e ndalë dikush me zor do të tregojë edhe shumë, ndoshta duhet menduar për ekip kombëtarë që Kosova të merr pjesë edhe në gara ekipore.

Në këtë kontekst medalja e Norës dhe mbulimi i kësaj ngjarjeje nga mediat botërore, siç u mbulua Majlinda para Lojërave Olimpike 2012, dhe tash nga CNN, më solli në mend një bisedë timen me kryetarin e një federate të një sporti me popullaritet në Kosovë.

Në një bisedë me te dhe një ish gazetarë u akuzova se nuk jam objektiv kur e vlerësoj xhudon dhe sukseset e xhudisteve. Për të ma vërtetuar këtë Kryetari më pyeti, edhe sa xhudistë të tjerë i njoh?

Për budallallëkun në pyetjen e tij, unë, e njoh vetëm një lojtar të golfit por kjo nuk tregon asgjë për këtë sport.

Kurrë nuk do i matja arritjet e njerëzve me popullaritet të një sporti, më shumë do e matja me popullaritetin që ai sport i bjen vendit të sportistit. Ose edhe më me rëndësi cili sport do të mund të motivonte të rinjtë kosovarë se edhe ata mund të garojnë dhe të fitojnë, se nuk duhet që të jesh Diasporë apo amerikan, për të mos qenë inferiorë ndaj botës.

Mund të citoj sfondin që i ka vënë Associated Press tekstit për Norën: Si komb me dy milion banorë anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik nuk do e dridh skenën sportive botërore por ka disa fuqi befasuese, shkruan AP.

"Kombi me banorë kryesisht mysliman në Evropën Jug-lindore është bërë fuqi në Xhudo, ne veçanti me një ekip të fortë të femrave. Bashkë me Gjakovën, Kosova ka dhënë edhe kampionen e tashme botërore Majlinda Kelmendi që nuk morri pjesë për shkak të lëndimit”, përshkruan AP.

Vetëm do të shtoja edhe një gjë të vogël: Krijimi i një sportisti si Nora, të cilin nuk e ka Shqipëria, nuk e kanë edhe shumë vende të tjera ka kushtuar më pak se një ekip basketbolli apo futbolli për një sezonë të vetme.

(Autori është pjesë e ekipit olimpik të Xhudos së Kosovës. Nuk ka pasur nevojë të shkoj në Baku).

Thënia e ditës

Në fund ne vetëm do të vajtojmë rastet e shfrytëzuara.
Autori i panjohur