Galla
Virtyt Gacaferi Publikuar: 2014-10-18 19:02:34

Politika, duart larg prej sportit *

A është racist komenti i Denis Abbot, zëdhënës i BE-së, se askush në fushë nuk ishte për lëvdatë, unë mendoj se po. Zëdhënësi do të duhej të mbetej në deklaratat se është punë e UEFA-s të vlerësojë ngjarjet. 
Bashkimi Evropian, nëpërmes zëdhënësve të vet, Maja Kocijancic dhe Denis Abbot, si përfaqësues të një institucioni politik, janë përzier në sport pa pasur nevojë. Me këtë veprim kanë dalë detaje të racizmit të këtyre zyrtarëve ndaj popujve të Ballkanit. Deklarata e Denis Aboot se askush nuk pati sjellje me të cilat mund të mburrej (No one was covering THEMSELVES in glory), Abbot përfshin të gjithë vizitorët e stadiumit në një vend dhe përgjithëson sjelljet e të gjithë njerëzve.

Z. Abbot ka harruar se vetë kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë ka gjetur forcën që të lavdërojë lojtarë e ekipit serb, të cilët u munduan që të ulin gjakrat dhe u munduan që t’i mbrojnë lojtarët e Shqipërisë. E dhe nëse kjo do të ishte e vetmja sjellje e mirë atë natë në stadium do të mjaftonte që të tregojë se z. Abbot nuk është interesuar të marrë vesh se çka ka ndodhur, por e ka të vërtetën e vet në kokë. Ai ka paragjykim ndaj tërë ngjarjes dhe mendon se “ne në Ballkan jemi të gjithë të njëjtë”, edhe pse mesazhi i tij profesional ishte t’ ia lëmë këtë punë UEFA-s, por nuk mjaftoi, këtë gjë ai edhe e shprehu. Tash ndikimet e sojit të Abbot dhe Kocijancic-it dhe politikanëve të tjerë e kanë nxjerrë problemin prej lojës dhe kanë shkaktuar incident që kërcënon jetën dhe pronën e shqiptarëve në Serbi.

Unë konsideroj se ajo që ka ndodhur në Beograd është çështje e futbollit dhe do të duhej të mbetet aty, deklaratat e Bashkimit Evropian, e komentatorëve dhe politikanëve, qoftë për "profesionalizmin e policisë serbe”, qoftë për atë se “askush në fushë nuk është për lëvdatë”, apo analizat se sa provokues është një flamur apo tjetër, vetëm sa kanë përkeqësuar gjendjen dhe kanë bartur çështjet e fushës së sportit në terrenin politik.

Unë e di vetëm një ndërhyrje të politikës në sport që ka qenë e suksesshme dhe e dëshirueshme dhe ajo ka ndodhur nga një grua në Angli, ku ka lindur edhe huliganizmi. Jo shumë më heret në vitet e tetëdhjeta shikimi i një loje futbolli në Angli ka qenë rrezik për jetën. Nga viti 1985 deri në vitin 1989 në tri ngjarje ku janë përfshirë ekipe nga vendi i z. Abbot kanë vdekur 191 njerëz. Bradford City 1985, 56 të vdekur; Heysel 1985, 39 të vdekur dhe Hillsborough 1989, 96 të vdekur. Pas kësaj kryeministrja e Britanisë, Margaret Thatcher, ka reaguar, duke ndryshuar rregullat për stadiume, duke ndaluar futbollin anglez të luajë jashtë Anglisë dhe një sërë masash të tjera që futbollin e kanë marrë nga duart e huliganëve dhe ua kanë dhënë qytetarëve të Anglisë, fëmijëve dhe gjeneratave të ardhshme të futbollit.

Përveç z. Abbot, ngjarjet në Beograd kanë vrapuar t’i komentojnë shumë nga komentatorët ndërkombëtarë dhe vendës, duke e bartur çështjen e huliganizmit në nivel të nacionalizmit dhe të politikës, duke e bartur çështjen nga fusha në politikë dhe duke nxitur që edhe mësuesit të lirojnë nxënësit nga shkollat në Prishtinë, “se Shqipëria e ka mundur Serbinë”, në njëfarë forme! Die Welt-i gjerman kishte dhënë një shkrim të detajur, duke përshkruar pse serbët ishin hidhëruar aq shumë nga përmbajtja e banerit të bartur me dron. Duke e pasur parasysh se baneri isht 50 cm në katrorë, përkrahësit serbë nuk kanë pasur mundësi të shohin detajet. Ajo çka ata kanë parë është shqiponja kuq e zi edhe e kanë marrë malin. E analisti gjerman ka gjetur hapësirë të tregojë se sa mirë e njeh historinë dhe kështu i ka kontribuar bartjes së sportit në politikë.

Problemi i kësaj loje të futbollit është problem i futbollit serb, i cili është në duart e kriminelëve. Në një reportazh të mediumit B92, tregohet se si udhëheqësit e grupeve të ndryshme të përkrahësve kanë dosje të trashë kriminale, kanë lidhje me bashkëmendimtarë në polici dhe politikë, të cilët mundësojnë ekzistimin e tyre. Problemi i ndeshjes është mungesa e Margareth Thatcherit në futbollin serb. Kjo duhet të jetë çështje me të cilën duhet të merret z Abbot, e jo me fajësim të përgjithshëm të të gjithëve.

Për të shkuar edhe më tutje dhe për të vërtetuar se ngjarja në Beograd është punë e huliganizmit, e cila u bart në rafshin politik falë BE-së dhe analistëve e politikanëve që dëshirojnë t’i shtinë hundët gjithkund, mund të tregojë fakti se futja e përkrahësve në fushë dhe sulmi i lojtarëve ndodh gati në tërë botën, madje edhe në Zvicër.

Në vitin 2006, kur Zurich në minutën e fundit jep gol dhe e mund Bazelin në St. Jakobs Park, huliganët zviceranë pushtuan fushën dhe sulmuan lojtarët. Festa vazhdoi në një pjesë të zbrazur të tribunave, ndërsa përleshja në stadium. Në atë kohë zyrtarët e kantonit të Zurichut dhe ata të Bazelit nuk përmendën luftën kur Zurich kishte humbur luftën kundër konfederatës Helvetike mu në vendin që mban emrin e stadiumit St. Jackobs. Çështja u mbeti autoriteteve të futbollit.
Z. Abbot dhe Kocijancic duhet të mësojnë se i përkasin politikës dhe jo sportit, kur merren me sport duhet të jenë në nivel personal apo të politikave zhvillimore.

(Autori është magjistër i gazetarisë nga Universiteti i Cardiff në Walles, punon si gazetarë i pavarur nga Lozana)

Thënia e ditës

Në fund ne vetëm do të vajtojmë rastet e shfrytëzuara.
Autori i panjohur