Galla
Bashkim Kajdomçaj Publikuar: 2014-10-18 12:19:52

Heroizmi shqiptar -turpi serb dhe mbeshtetja e UEFA-s (Platini) dhe BE-s (Kocijanqiq)

Tash pas gjithë këtij ‘maskarallëku’ serb që ndodhi në Beograd me futbollin, dolën në pah shumë gjëra para gjithë opinionit sportdashës dhe kulturor jo vetëm në Evropë.

Para ndeshjes nga mediat serbe u krijua një atmosferë tendosëse, duke i fryrë zjarrit skajshëmrisht. Thua se futbollistët shqiptarë e serbë do të dilnin si gladiatorët në fushëbetejë në kohën romake. Serbia duke e ditur gjendjen e futbollit serb si dhe nivelin aktual të futbollistëve shqiptarë, nuk deshi të qëndronte indiferente, aq më tepër pas fitores së Shqipërisë ndaj Portugalisë në Lisbonë si dhe barazimit me Danimarkën, dy vende me traditë dhe nivel të lartë të zhvillimit të futbollit. Serbia pas humbjeve në sfera tjera, donte të mos koritej në sferën e futbollit nga shqiptarët. Prandaj, duke dashur të shpëtoj nga koria e futbollit, u korit në fushën politike sepse e instrumentalizoj futbollin për qëllime politike.

Së pari, Serbia arriti që të ndaloj ardhjen e shqiptarëve në Beograd, qoftë nga Shqipëria, qoftë nga Kosova. Ndërkaq, për shqiptarët në Luginë të Preshevës krijoj psikozë që të mos ja mësynin Beogradit. UEFA në këtë drejtim e përfilli kërkesën serbe, pas pompimit të madh në opinion.

Së dyti, me shkuarjen e ekipit të shqiptarëve në Beograd, ata i pritën në mënyrë bombastike, duke i shoqëruar me polici, e madje edhe duke ua kontrolluar çantën secilit deri edhe në brek, sikur ti kishin mbushur ato me eksploziv apo drogë. Pastaj shoqërimi i ekipit shqiptarë me njësi speciale me maska, u bë për të krijuar përshtypjen e rrezikut të sigurisë personale si dhe ‘gatishmërinë’ e shtetit serb për siguri maksimale. Kurse në anën tjetër, për të krijuar psikozë, frikë dhe pasiguri të futbollistët shqiptarë, të cilët duhej jo vetëm të mendonin por edhe të bënin përpjekje jo se si të fitonin apo shënonin gol ndaj Serbisë, por si ta shpëtonin kokën nga ky ‘ferr’.

Kështu ndonëse Serbia vet e përgatiti skenarin, pastaj nuk mundi ta kontrolloj deri në fund. Sepse nuk i kish mësuar tifozët serbë që të bërtisnin “vrisni shqiptarët”. Jo për atë që njerëz edhe në qeverinë serbe nuk mendojnë kështu, por për faktin se nuk mund ti arsyetojnë këto thirrje raciste para botës.

Kur ffilloi loja dhe u pa se Serbia jo vetëm që nuk do të mund të fitonte, por do të humbëte më shumë se Portugalia, u vu në veprim plani tjetër. Me teledirigjim u vu në qarkullim një hartë e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe e përcjellur nga portretet e dy figurave kombëtare shqiptare: Ismail Qemalit në në njërën anë dhe në anën tjetër e Isa Boletinit. D.m.th. Kosova dhe Shqipëria. Sepse edhe në përfaqësuesen e Shqipërisë ndodheshin tetë lojtarë të Kosovës. Dhe skenari u zhvillua siç e pa e gjithë bota. Sikur të kishte qenë duke udhëhequr Serbia, flamuri sigurisht që nuk do të valonte në stadium. Për gjithë këtë Serbia mundohet t’ja hedh fajin Shqipërisë dhe shqiptarëve me supozimin se këtë e kanë bërë shqiptarët, prandaj edhe duhet fajsuar ata.

Përderisa UEFA mori vendim që të mos shkonjë tifozët shqiptarë në Beograd, ishte e qartë se organizim të tifozëve shqiptarë nuk mund të kishte, as nga Kosova e as nga Shqipëria, sepse për çfarëdo që të ndodhte, përgjigjësinë do ta kishte Shqipëria. Nëse hipotetikisht do të besonim se këtë e ka bërë ndonjë ‘patriot shqiptar’, atëherë nën këtë të ashtuquajtur shtetërrethim, si është e mundur që shteti serbë me gjithë atë makineri policore, të mos e zbuloj dhe arrestoj “patriotin shqiptar”?

Kjo është e qartë, se ky skenar ka vetëm një adresë: Serbia, përkatësisht shteti serbë. Në këtë numër të madh të pjesëtarëve të policisë serbe, si mundën të lejojnë policët serbë që të futen huliganët në fushë? Aq më tepër që në këtë aventurë serbe marrin pjesë edhe kujdestarët në stadium dhe vet policë serbë, duke sjellur ndaj lojtarëve shqiptarë jo vetëm koridoreve e në zhveshtore por edhe në fushë publikisht. Shovinizmin dhe urrejtjen shteti serbë nuk mundi ta fsheh as këtë radhë.

Tash në lojë është sërish politika. Regjisorët dhe skenaristët dolën në skenë. Për ta mbrojtur vetën dhe për të sulmuar njëkohësisht. Apo më qartë: për ta mbrojtur vetën duke sulmuar. Kryeministri serbë, Ministri i punëve të Jashtme të Serbisë, ministra tjerë serbë, nuk e kanë as një grimë objektiviteti, siç e patën mediat shqiptare, qoftë në Kosovë, Shqipëri etj, për raportimin dhe qëndrimin e sjelljeve korrekte të disa futbollistëve serbë si: Ivanoviq, Kolarov etj.

 

Pasojat nga tolerimi

 

Tash meqenëse realiteti u pa, duhet edhe ndëshkimi ndaj keqbërësit. E kjo siç po shihet është Serbia. Por këtu ka rrezik që UEFA të ndikohet nga politika ndërkombëtare që gjykimi mos të jetë i drejtë por të kihet një tolerancë e sërishme ndaj Serbisë, për shkak të proceseve (bisedimeve) nëpër të cilat po kalon Serbia bashkë me shqiptarët e veçmas me Kosovën. Si rrjedhojë: në vend se Serbia të ndëshkohet duke u regjistruar ndeshja me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Shqipërisë, ajo mund të bëjë kompromis duke e dënuar Serbinë me para, duke e vazhduar ndeshjen në Beograd qoftë aty ku ka mbetur apo edhe nga fillimi, por pa asnjë shikues. Kurse varianti tjetër për tu luajtur ndeshja në ndonjë vend tjetër në Evropë: Zvicër, Francë, Itali, Gjermani...Serbia dhe UEFA e dinë se kudo që do të luhej, qindra mijëra shqiptarë anë e kënd Evropës do të shkonin në atë shtet, pa marrë parasysh se a mund të hyjnë në stadium. Me një fjalë Serbia dhe UEFA kanë një patate të nxehtë në dorë. Që të dënohet simbolikisht Serbia sa për sy e faqe, duke mos u regjistruar rezultati 3:0 për Shqipërinë, kjo do të ja humbte kuptimin vet sportit, duke u komprometuar në një masë jo të vogël vet UEFA-n.

UEFA dihet se nuk bëri kompromise me Anglinë në problemin e Heiselit në Bruksel më 1985, jo vetëm ndaj Liverpoolit por ndaj të gjitha ekipeve angleze. Futbolli anglez, pasojat i pagoi shtrenjtë. Për shumë vite ekipet angleze nuk u lejuan të marrin pjesë në garat ndërkombëtare, dhe e dyta, i humbi trendi futbollit anglez në arenën ndërkombëtare. Kujtojmë faktin se deri atëherë ekipet angleze dominonin në skenën e kupave të Evropës e sidomos në Kupën e kampionëve. Dhe jo vetëm kaq! Kjo ndikoi që edhe ekipi anglez në garat ndërkombëtare të mos mund të konsolidohej madje deri në ditët e sotme.

Së këndejmi, UEFA duke e ditur se ky nuk është rast i parë që ndodh me tifozët serb nga se para ca vitesh (2011), tifozët e Partizanit të Beogradit e rrahën për vdekje një tifoz francez (Brice Taton) të ekipit Tulus të Francës, pikërsht në këtë stadium (JNA) ku pas 10 ditësh vdiç.

Në anën tjetër, po këta tifoz serbë, në Itali më 2011 për shkak të huliganizmit ndikuan që të ndërpritet ndeshja Itali – Serbi.Këtu u dogj flamuri shqiptar nga banditi serb Ivan Bogdanov, që u dënua më pas nga drejtësia italiane dhe u ekstradua në vendin e origjinës-krimit-Serbi.

Pakë më vonë (2012) serbët pas humbjes nga Anglia, U-21, pas përfundimit të ndeshjes rrahën tërë seleksionin anglez!

Banditi Bogdanov i ndihmuar nga policia serbe dhe ‘kujdestarët’ u sulën bashkë me ‘tifozët’ që thyen rrethojat mbi ekipin kombëtarë.

Një fluturake të ketë qenë më e rrezikshme se 30 mijë banditë-huliganë (në mesin e tyre edhe presidenti serb Nikoliq) që thirrnin për vrasje shqiptarësh dhe në fund me gjithëcka që patën sulmuan kombëtaren.Ky është racizëm që UEFA e FIFA e ka mison ta luftojë. Jo z.Platini.Mos si shumë po toleroni Serbinë që është recidiviste në këto gara ?! Ju jeni i thirrur të mbroni dhe zhvilloni futbollin , jo kriminelët !

‘Serbia reagoi me profesionalizëm’, tha zëdhnësja e Baroneshës, edhe pse ajo s’qe punë për te!

Ajo, foli me zërin e Platinit edhe pse më pas u mundua të justifikohej, kinse ka dënuar dhunën.

Radha është te UEFA të përcaktohet se a don që përfundimisht ta shuaj misionin e sportit të- futbollit duke e bërë instrument të politikës, apo don ta ruaj dinjitetin e vet, të futbollit si dhe sportit në tërësi.

Thënia e ditës

Në fund ne vetëm do të vajtojmë rastet e shfrytëzuara.
Autori i panjohur