Galla
Reshat Ibrahimi Publikuar: 2014-09-25 19:45:08

Mediat maqedonase i harruan “dhomat e gazit për shqiptarët”!

Mediat maqedanase në mënyrë të orkestruar kanë nisur një fushatë kundër tifozëve të Shkëndijës, “Ballistët”, duke i akuzuar këta të fundit, për brohoritje “kundër maqedonasve” dhe për incidentin pas përfundimit të ndeshjes, kur është qëlluar në kokë portieri i Vardarit, Pavloviç. Pa dashur t’ju dal në mbrojtje, një të tillë as që kam ndërmend ta bëjë e as që më takon si profesionist, “Ballistëve”, të cilët kishin krijuar një ambient madhështor duke përkrahur lojtarët e tyre drejt fitores, përball një kundërshtari të madh siç është Vardari, dëshiroj t’i përkujtojë kolegët maqedonas se kur të raportojnë për fyerjet e tifozëve shqiptarë, paraprakisht do të ishte mirë që ta bëjnë të kundërtën, pra të merreshin me këtë dukuri e cila tanimë vite me radhë është e pranishme tek tifozeria maqedonase, e cila sikur ka kultivuar “ofendimin dhe fyerjen ndaj shqiptarëve” pa kurrfarë preteksti.

Sa e sa herë, janë fyer e sharë shqiptarët në stadiumin e qytetit “Filipi i Dytë” në Shkup, dhe, pikërisht nga këto media që sot akuzojnë tifozerinë e "Ballistëve", asnjëherë nuk u morën me ofendimet e tifozerisë maqedonase e cila kërkonte “Dhoma gazi për shqiptarët”, por dhe “vdekjen” e tyre.

Ofendimet dhe sharjet e tilla janë shumë të freskëta dhe ato kanë ndodhur para ca javësh, kur Shkëndija ishte mysafire në Shkup dhe në atë ndeshje, tifozët “Komiti”, lëshonin arsenal fyerjesh ndaj shqiptarëve: “Gasni komori za shiptari”, “Dobar shiptar, mrtov shiptar” e të tjerë. Pikërisht këto media që sot vjellin vrerë ndaj sharjeve dhe ofendimeve të “Ballistëve”, dje ishin të verbra ndaj ofendimeve të njëjta, kur tifozët maqedonas i shpalosnin kundrejt shqiptarëve.

Reagimi i këtillë me dy kute, nuk mendoj se i shërben zgjidhjes së këtij problemi shumë serioz dhe alarmant, që çdo ditë e më tepër po shfaqet në tribunat e stadiumeve gjithandej në Maqedoni.

Edhe në ndeshjen e fundit të Shkëndijës në Manastir, ka pasur fyerje të tifozëve maqedonas ndaj shqiptarëve dhe u hesht. Mund të përgjigjen kolegët e mi maqedonase, pse heshtnin atëherë dhe pse janë të zëshëm tani?

Mendojnë se kështu i luftojmë dukuritë e këtilla të pahijshme që kontribuojnë në thellimin e ndasive nacionale? Ua them troç: Jo! Në fakt, kjo është mënyra dhe metoda më e keqe.

Ironia e tifozëve maqedonas nuk ka fund: Të them se i kuptoj fyerjet kur luajnë dy ekipe: njëra shqiptare dhe tjetra maqedonase, por të fyhen shqiptarët kur psh:reprezentacioni i Maqedonisë luan ndeshje ndërkombëtare me kombëtare tjetër, dhe me këtë rast pa kurrfarë arsye (në mënyrë absurde) të fyhen shqiptarët në kor, këtë përfundimisht s'mund ta kuptoj. Nuk mund t’i kuptoj, sepse nuk kanë respekt për lojtarët shqiptarë që mbrojnë ngjyrat e këtij vendi dhe janë ndër më të mirët në formacion.

Të nderuar kolegë maqedonas, kur ju të shkruani për dukuritë e tilla në mesin e tifozerisë maqedonase, edhe në kolegët shqiptarë do të detyrohemi të shkruajmë për tifozerinë shqiptare. Në të kundërtën, duke heshtur ju nga njëra anë dhe ne nga ana tjetër, e ndihmojmë në mënyrë të pavetëdijshme.

(autori është redaktor i sportit i gazetës, Lajm në Shkup)

Thënia e ditës

Në fund ne vetëm do të vajtojmë rastet e shfrytëzuara.
Autori i panjohur