Galla
Virtyt Gacaferi Publikuar: 2014-09-17 12:29:38

Kampion bote nuk është njësi matëse, por motivim

 E kam një kushërirë që është kampione e Kosovës në xhudo për kategorinë dhe grupmoshën e vet. Ajo madje është edhe ndër xhudistet më të mira në rajon. Pra, përfshinë diçka prej Sarandës deri në Sofje dhe prej Vardarit deri në Trigllav. Ajo me gjithë suksesin e vet, në një moment kishte vendosur t'i thotë babës së vet: “Dua ta lë xhudon, dua të bëhem mësuese se nuk mundem më”!

Zatën, vajza nuk kishte faj: zgjim në ora gjashtë për trajnimin e mëngjesit, shkollë, detyra të shtëpisë, trening të pasdites, shtëpi, gjumë të hershëm për shkak të ditës së nesërme që fillon në ora gjashtë. Me gjithë këtë përpjekje, kushërira ime shkoi në një garë jashtë rajonit dhe pjesëmarrja i zgjati tre minuta. Për trajnerin, kjo kohë e shkurtër në garë nuk ishte kurrfarë treguesi për të ardhmen e saj.

Mirëpo, ajo ishte prekur, sepse ushtronte përkrah Majlinda Kelmendit e cila në moshën e kushërirës sime, kishte pasur rezultate kulminante. Kushërira ime kur ka shikuar njerëzit rreth saj ka menduar se prej saj pritet të bëhet një Majlindë e re.

Të bëhesh kampion i dyfishtë i botës, dhe të jesh kosovar është momentalisht një shans 1 në 1.7 milionë, dhe rezultat të cilin jo vetëm në sport, por edhe në fusha të tjera, askush nuk e ka arritur. Të marrim profesionin për të cilin jam shkolluar: gazetarinë. Nuk ka gazetar kosovar që ka dalë nga UP apo nga AAB që është kandidat për Çmimin Pulitzer, apo që ka shanse ta marrë atë. Nuk ka një kosovar në shkencë, politikë apo art që ka marrë një Çmim Nobel, tash e shumë vite. Në Kosovë nuk ka njeri më të suksesshëm se Majlinda. Nëse matja e suksesit të kosovarëve bëhet me Majlinda Kelmendin, atëherë Kosova për një kohë të gjatë do të jetë vendi i dështakëve.

Majlinda duhet të jetë motivim se si një person me rezultate të arritura ka mundur që të ndryshojë ligjin për sport dhe të hap rrugë për sportistë të tjerë të cilët do të shpërblehen në rast të sukseseve. Nëse jo kampion bote, atëherë i treti në Evropë, në boks, mundje apo në pingpong... kudo që dëshironi.

Fatkeqësisht, deri tash shpërblimet e parapara me ligin e sportit që është ndryshuar pas sukseseve të Majlindës, e kanë marrë vetëm xhudistët Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova, duke e bërë këtë sport të suksesshëm përtej një personi të vetëm.

Për këtë, me këto rezultate secili udhëtim i xhudistëve vjen edhe me një dozë të presionit, përderisa të tjerët fitojnë tituj pozitiv me “paraqitje të dinjitetshme”, prej xhudos priten medaljet, e në mungesë të tyre dalin edhe fjalët si zhgënjim apo dështim.

Sporti është i bukur pasi ka dështime e zhgënjime dhe kthime në lojë. Për shembull, Bosnja dhe Hercegovina, pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror në Futboll, humb në vend të vetin nga Qipro, dhe Zvicra ka humbur nga Anglia. Befasitë ndodhin. Ndonjëherë ekipet janë në formë, ndonjëherë jo. Kjo e bën sportin të këndshëm për përcjellje, ndërsa përkrahësit e sportistëve testohen në ditët e këqija të ekipit të tyre.

Duke parë ngjarjet e fundit në pjesëmarrjen e Kosovës në sporte ndërkombëtare (përjashto diasporën), KF Prishtina ka humbur 2:0 në mes të Prishtinës nga Sivasspor, një ekip që është i ranguar i 441-ti, apo i 331-ti (varësisht nga burimi) në botë (pa marrë parasysh se ekipin e drejton një ish futbollist shumë i mirë dhe shumë i njohur). Nëse këtë rezultat të KF Prishtinës e matim me një kampion të dyfishtë botëror, atëherë secili le ta nxjerrë përfundimin e vet. Mirëpo, Prishtina është e jona, dhe Majlinda nuk duhet të bëhet njësi matëse për të tjerët, pasi do të ballafaqohemi me zhgënjimin dhe heqjen dorë nga rezultatet e mira, në pamundësi të arritjes së rezultateve të shkëlqyeshme. Në anglisht thonë e përsosura është armiku më i madh i të mirës.

Xhudo e ka dhënë Majlindën që është sportistja më e mirë e Kosovës dhe ky status mund t’i zgjas asaj edhe për një kohë të gjatë Mirëpo, xhudo ka dhënë edhe Nora Gjakovën që ka qenë e shtata në botë në kampionatin e kaluar botëror; e ka dhënë Akil Gjakovën që është kampion evropian për juniorë, siç edhe është Distra Krasniqi.

Matja e këtyre rezultateve me takimin e Prishtinës me Sivassporin, do të ishte aq jo fer sa edhe matja e rezultateve të kushërirës sime me Majlindën.

Thënia e ditës

Në fund ne vetëm do të vajtojmë rastet e shfrytëzuara.
Autori i panjohur